Kanë dalë shifrat e para të fazës së parë të konkursit të shpallur nga Ministria e Kulturës “Art në Hapësira Publike”, të cilat përfshijnë ndërtimin e veprave të lidhura me artin në 18 vendndodhje të ndryshme ku në mesin e tyre përfshihet edhe Shkodra.
Ministria e Kulturës bëri me dije se plot 139 propozime kanë mbërritur në përfundim të kësaj faze nga artistë shqiptarë dhe të huaj për edicionin e parë të këtij konkursi ndërkombëtar.
Faza e parë solli dorëzimin e projektideve për realizimin e 18 veprave në hapësira publike si rrethrrotullime, mbikalime, institucione publike etj. me shtrirje nga veriu në jug duke nisur nga Shkodra për të vijuar në Tiranë, Kavajë, Lushnje, Gjirokastër etj.
Pas përfundimit të fazës së parë duket se pesha kryesore bie mbi jurinë e cila do të përzgjedhë fituesit mbi gjykimin e saj.
Në fazën e dytë pritet detajimi i projektideve, preventivave, i kohës së realizimit, grupeve të punës etj.
“Art në Hapësira Publike” është një nga nismat më të reja të qeverisë shqiptare për kulturën, për nxitjen e krijimtarisë artistike me qëllim përmirësimin e imazhit në hapësirat publike por edhe promovimin e së bukurës dhe estetikës.
Për këtë nisëm është vënë në dispozicion një buxhet prej 200 milionë lekësh që ka për qëllim pasurimin e këtyre hapësirave me vepra origjinale të autorëve të ndryshëm.
©️ Marjo Gjini
