Artistit të shquar, piktorit shkodran Pjerin Sheldija iu dha lamtumira ditën e sotme përmes një ceremonie që nisi me meshën e shenjtë në Kishën Françeskane, në muret e së cilës vëren ngado dorën e piktorit shkodran përmes afreskeve të realizuara me aq mjeshtëri nga ai.
Familjarë, miq e të afërm si dhe personalitete e figura të spikatura të qytetit kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit, Pjerin Sheldisë.
Pas përfundimit të meshës, kortezhi vijoi rrugën për në varrezat historike të Rrmajit, aty ku do të prehet trupi i tij.
Artisti Adrian Paci, si një mik i afërm i piktorit Sheldija vlerëson me fjalët e tij të ndjera sakrificën dhe vështirësitë e përjetuara.
Pjerin Sheldija u largua vetëm fizikisht nga kjo botë por në Shkodrën e tij dhe kudo ku ai përhapi kontributin artistik do të vijojnë të mbeten përgjithnjë gjurmët që la pas.
©️ Marjo Gjini