Bashkë me temperaturat e larta, muaji gusht prodhoi një seri aktivitetesh të larmishme kulturore ku natyrisht dy prej tyre spikatën më së shumti “Shkodra Jazz Festival” dhe “Land & Sand Art Festival”.
Të dyja këto festivale morën vënendjen më të madhe pa lënë mënjanë asesi evenimentet e tjera kulturore jo më pak të rëndësishme. “Shkodra Jazz Festival” mund të konsiderohet si vazhdimësi e traditës së nisur 17 vite më parë pikërisht në 2005 ndërsa ky është festivali i vetëm në vend që i dedikohet tërësisht muzikës jazz. Ai erdhi me risi këtë vit për shkak se në të përveç artistëve të njohur që morën pjesë, ishte edhe grupi i të rinjve që u përfshinë për herë të parë në këtë eveniment. Ky festival solli atmosferë duke mbushur sheshin para bashkisë përmes koncerteve të zhvilluara.
Risia më e bukur duket se erdhi nga Velipoja, ku për herë të parë në Shqipëri e ndoshta edhe përtej, u zhvillua një festival dedikuar skulpturave me materiale të tokës, ku turistët dhe pushuesit e plazhit më të madh ranor në vend, patën mundësi të shijonin veprat artistike të rërës nga disa prej skulptorëve vendas dhe të huaj. Portrete si ai i Nënë Terezës apo mozaiku fitues në grykëderdhjen e Bunës janë fiksuar tashmë si imazhet më të veçanta në këtë edicion të parë të festivalit.
Muaji gusht solli edhe dy koncerte të tjera të verës si ai i Natës Shkodrane dhe ai i artistit të shquar Frederik Ndoci. Të dyja këto koncerte sollën magjinë e këngës shkodrane tek gjithsecili prej të pranishmëve.
Gushti ishte edhe muaji i fotografisë për shkak të Ditës Ndërkombëtare të Fotografisë në këtë muaj ku Shkodra është e njohur për familjet e kthyera në dinasti në këtë fushë megjithatë duhet pranuar që organizimet artistike për këtë ditë domethënëse në lidhje me historinë dhe traditën e qytetit në këtë fushë munguan.
Përpara kemi një tjetër muaj, shtatorin që vëmendjen na e kthen tek institucionet më të rëndësishme të kulturës si teatri “Migjeni”, Galeria e Arteve apo Muzeu Historik i Shkodrës e shumë të tjera për të nisur sezonin e ri të aktiviteteve kulturore si një pasaportë e mirë për qytetin.
©️ Marjo Gjini
