Një nga artistët më të njohur shqiptar në fushën e pikturës, Pjerin Sheldija ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare. Ai ishte i njohur jo vetëm për veprat e tij në fushën e pikturës por edhe për filantropinë që e karakterizonte duke qenë se ai gjithnjë i dhuronte pikturat e tij, pa i shitur asnjëherë ato. Daljen e fundit në ekran piktori i shquar shkodran e pati në RTSH Shkodra gjatë një ekspozite të çelur në Galerinë e Arteve të Shkodrës për një tjetër artist në muajin shkurt të këtij viti.
Pjerin Sheldija ishte autori i mbi 200 afreskeve në më shumë se 35 kisha jo vetëm në vendin tonë por edhe në Kosovë, Malin e Zi e deri në kishat e Italisë dhe të Anglisë.
Tre prej veprave të tij në pikturë gjenden sot edhe në Vatikan ndërsa Papa Benedikti XVI e vlerësoi atë me “Distinktivin e Kryqit të Shenjtë për Kishën dhe për Papën”.
Mjeshtri i pikturës Pjerin Sheldija u lind në lagjen e Arrës se Madhe të Shkodrës, pranë shtëpisë së patriotit Pashko Vasa me 9 korrik 1937, në një familje të njohur qytetare shkodrane. Gjatë të gjithë jetës së tij ai iu dedikua artit të pikturës ku karakteristika kryesore e punimeve të tij ishin motivet kombëtare përmes tipareve shqiptare e atyre popullore të personazheve që i hidhte në telajo ndërsa është nderuar me titullin “Mirënjohja e qytetit” edhe nga Bashkia e Shkodrës vite më parë.
©️ Marjo Gjini