Shërbimi Social Shtetëror ka ndërmarrë një nisëm shumë të veçantë në pedonalet e Tiranës, Vlorës, Beratit, Shkodrës dhe Durrësit në lidhje me prezantimin e disa prej punimeve artistike të fëmijëve me aftësi të veçanta. Edhe në pedonalen e Shkodrës vizitorët kishin mundësi të njiheshin më nga afër me këto punime artistike.
Valbona Tula, drejtuesja e Shërbimit Social për Qarkun e Shkodrës fton qytetarët t’i blejnë këto punime për t’i motivuar dhe nxitur akoma më shumë këta fëmijë.
Në këtë prezantim punimesh artistike merrte pjesë edhe kryetari i bashkisë së Shkodrës Bardh Spahia i cili në fjalën e tij theksoi se duhet bërë më shumë në mënyrë të veçantë në kualifikimin e personelit që merret me këtë shtresë.
Punimet e bëra nga këta fëmijë janë kryesisht të realizuara me baltë dhe allçi ndërsa ergoterapistja që i ndjek ata thotë se ky është një proçes që i relakson fëmijët.
Punimet artistike ku pjesë e tyre janë edhe pikturat do të qëndrojnë për tre ditë me radhë në pedonalen kryesore të qytetit dhe të ardhurat që do të nxirren nga shitja e tyre do të shkojnë sërish për Qendrat e Zhvillimit për personat me aftësi të veçanta.
©️ Marjo Gjini