Netët e jazz-it në Shkodër po bëhen gjithnjë e më të bukura duke qenë se tashmë mund të thuhet se festivali ka hyrë në rrjedhën e tij plotësisht. Nata e mbrëmshme solli dy grupe të tjera të kësaj rryme muzikore siç ishin ato të “Heart Cave” nga Rumania dhe trioja austriake nga qyteti i Graz-it “Tribidabo”.
Duoja rumune Ana Cristina Leonte dhe Alexandru Arcus ishin të parët që u ngjitën në skenë dhe performuan repertorin e tyre para publikut shkodran.
“Ky është një festival që është kthyer në traditë këtu në vendin tuaj dhe ne e mirëpritëm ftesën e organizatorëve për të performuar repertorin tonë. Një festival që i dedikohet një personi që ka kontribuar për këtë lloj muzike dhe është vërtetë shumë e bukur aftësia për ta shndërruar një fakt të hidhur siç është ndërrimi i jetës në diçka të bukur siç është ky event. Është gjithçka bukur sepse muzika jazz është një festë dhe ajo i bashkon njerëzit” – u shpreh Ana Cristina Leonte, violinistja rumune e grupit “Heart Cave”.
Radhën për t’u ngjitur në skenë pas grupit rumun, e kishte trioja “Tribidabo”, një nga grupet më të njohura të kësaj muzike në Austri dhe përtej, të cilët me aftësinë e tyre muzikore për t’i shndërruar këngët tradicionale në një stil më modern ja fituan shpejt zemrën publikut shkodran, i cili nga ana e tij shoqëroi thuajse çdo performancë të tyre me duartrokitje pa fund.
Kitaristi i grupit austriak Simon Reithofer shpreh kënaqësinë që është pjesë e festivalit dhe e një qyteti si Shkodra, të bukur dhe me njerëz të mirë siç e quan ai.
“Ne si grup e dimë që “Shkodra Jazz Festival” është me të vërtetë një gjë e bukur me plot artistë të shkëlqyer pjesëmarrës që frymëzojnë njerëzit e në mënyrë të veçantë qytetin me atë që transmetojnë me artin që dhurojnë dhe gjithashtu Shkodra po na duket një qytet shumë i bukur me njerëz shumë të këndshëm. Jemi të lumtur që jemi pjesë e festivalit dhe të performojmë materialet tona si dhe të kalojmë një kohë të bukur këtu.” – shprehet kitaristi i grupit austriak, Simon Reithofer.
“Shkodra Jazz Festival” do të vijojë edhe në dy ditët e mbetura të fundjavës me të tjerë artistë të ftuar që pritet të dhurojnë atmosferë dhe energji pozitive në qytet.
©️ Marjo Gjini
