Një tjetër natë të bukur dhuroi “Shkodra Jazz Festival” teksa në skenë u ngjitën dy grupe nga Italia: Duo Tione Mandarini dhe më pas Oltre Swing LAB.
Pas koncerteve të para të dedikuara klasës së fizarmonikës të drejtuar nga Bardh Jakova dhe asaj të muzikës klasike të “Skanderbeg Chamber Orchestra” nën drejtimin e Paçalin Pavacit, ky i radhës mund të konsiderohet si fillimi i serisë së koncerteve jazz që do të zgjasin deri më 27 gusht e për t’u mbyllur sërish me muzikë klasike më 28 gusht.
Kitaristi i grupit “Oltre Swing LAB” Nunzio Barbieri performoi në skenë përkrah të birit Francesco Barbieri që luante në klarinetë ndërsa grupi pati mundësi të luante me nota të muzikës reggae që përdoreshin rreth dy mijë vite më parë dhe ky mund të konsiderohet tingulli që karakterizon këtë trio.
“Një natë e mrekullueshme. Unë e kam thënë edhe vitin e kaluar që duhet të jemi sërish këtu edhe pse impenjimet në lidhje me muzikën janë të shumta nuk mund të ndodhte që ta linim këtë event këtu. Do të ndiheshim keq nëse nuk do të ishim prezentë sepse ky festival ka hyrë tashmë në zemrën tonë. Organizatorët janë miqtë e mi e për mua janë shndërruar në një familje dhe në Shkodër ndihem si në shtëpi.”
Festivali i dedikuar muzikës jazz ka hyrë në javën përmbyllëse të tij, me koncerte në shesh të hapur ku po performojnë artistë të ndryshëm që po i sjellin atmosferë qytetit përmes muzikës cilësore. Koncerti i natës së mbrëmshme është një ekskluzivitet i RTSH Shkodra dhe ai do të përcillet në ditët në vijim për shikuesit e saj.
©️ Marjo Gjini
