Për herë të parë në Shqipëri ka nisur të mbahet një festival i skulpturave të rërës, të punuara nga artistë të ndryshëm, shqiptarë e të huaj “Land and Sand Art Festival” dhe vendi i përzgjedhur për të qenë mikpritës i këtij eventi të rrallë për nga lloji i tij është bërë plazhi i bukur ranor i Velipojës.
Organizatorët e festivalit shprehen të kënaqur me punën e arritur në këtë edicion të parë dhe se synimi është të shndërrohet në traditë.
Skulptorët e festivalit vijnë nga shtete të ndryshme dhe ata i gjen duke punuar veprat e tyre të artit, të bukura dhe domethënëse. Ata ndihen të lumtur që po përjetojnë këtë eksperiencë të veçantë të artit të tyre në rërë.
“Unë vij nga Bullgaria dhe po përgatis skulpturën e Nënë Terezës, një grua aq e embël dhe e zgjuar njëkohësisht. Është hera e parë dhe njerëzit më duken shumë miqësorë” – thotë artistja bullgare Ani Zlateva.
“Unë jam Letonia dhe po përgatis një skulpturë me 4 fëmijë të vegjël. Kjo për mua është një eksperiencë shumë e bukur dhe besoj që e tillë është si për ne skulptorët edhe për organizatorët” – shprehet artistja letoneze, Sanita Ravina.
“Lasart Festival” është një festival i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Bashkia Shkodër etj. dhe përveç artit të veçantë që prezanton, ai ka synimin të promovojë sa më shumë Velipojën si plazhi më i madh ranor në vend. Ky festival do të përmbyllet më 27 gusht.
©️ Marjo Gjini
