“Linja në Pentagram”, ishte ajo që solli muzikanti dhe kompozitori i njohur shkodran, me qëndrim prej vitesh në Itali, Lodi Luka në mjediset e “Art House”. Drejtuesi Adrian Paci thotë se ndihet mirë kur ka mundësi të ftojë figura dhe personalitete të tilla në mjediset e qendrës.
Muzika dhe diskutimet rreth saj të lidhura me artin kontemporan ishin kryefjala e asaj çfarë ndodhi mbrëmë me të pranishmit që ndiqnin me vëmendje bisedën.
Orientimi nga anti-vlerat në muzikë është një problematikë që nuk vërehet vetëm në Shqipëri por edhe në Itali, vendin ku kompozitori jeton e punon si profesor në Konservatorin e Reggio Emilia-s.
Më tej kompozitori shkodran tregon se ka projekte që kërkon t’i zhvillojë më tej në lidhje me muzikën shkodrane që lidhet me rrënjët e tij.
Lodi Luka ka një veprimtari të pasur artistike dhe katalogu i tij përfshin opera lirike, muzikë për orkestër, muzikë dhome etj ndërsa kompozimet e tij janë interpretuar në Itali, Spanjë, Austri, SHBA, Francë si dhe shumë shtete të tjera.
©️ Marjo Gjini
