“Salloni i Vjeshtës” është njëri nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore që organizohen në Shkodër nga Galeria e Arteve i fokusuar kryesisht në fushën e artit figurativ ndërsa vit për vit ky eveniment ka marrë përmasa kombëtare e ndoshta edhe më tej.
Ndonëse jemi ende herët dhe na duhet të presim edhe pak kohë për të mbërritur deri tek nisja e tij sidoqoftë faqja e Galerisë së Arteve në Facebook ka bërë me dije dy kuratorët e edicionit të ri do të jenë dy artistë të njohur e bëhet fjalë për Oltsen Gripshi e Naim Spahiu.
Ky do të jetë edicioni i XVI i Sallonit të Vjeshtës, të kthyer në traditë tashmë ndërsa tematika e tij për këtë vit do të jetë ngjyra e kuqe, e lidhur me faktin se ky edicion i ri përkon me 110-vjetorin e pavarësisë së vendit por jo vetëm pasi ajo është edhe simbol i përsosmërisë së poleve të kundërta midis bashkimit dhe shpërbërjes, të mirës dhe të keqes, të bukurës dhe të shëmtuarës, mirësisë dhe djallëzisë që janë parimet bazë për formësimin e rendit të jetës.
Në postimin e saj, Galeria e Arteve fton të gjithë artistët të marrin pjesë me krijimtarinë e tyre sipas këndvështrimit dhe interpretimit të tyre artistik.
Tashmë mbetet në dorën e artistëve të japin më të mirën e tyre përmes artit që ata përcjellin në mënyrë që edhe ky edicion të vijojë në rrugën e suksesshme që edicionet pararendëse kanë dhuruar për të gjithë publikun artdashës.
©️ Marjo Gjini
