Të flasësh për heronjtë e një kombi nuk është një mision i lehtë e kjo vlen edhe për monumentet dedikuar atyre, por këtë e ka marrë përsipër ta bëjë një italjan dhe bëhet fjalë për shkrimtarin dhe regjizorin Fabrizio Bellomo nga qyteti i Barit, pjesëmarrës në shumë ekspozita dhe festivale filmash dhe i vlerësuar me çmime të ndryshme, i cili ka vite që viziton vendin tonë ndërsa së fundmi ishte i pranishëm në Shkodër, në mjediset e qendrës “Art House” ku prezantoi një material filmik dhe të shkruar në lidhje me monumentin e “5 Heronjve të Vigut” dhe qasjen e tij ndaj këtij monumenti.
Artisti italjan Fabrizio Bellomo tregon se frymëzimin për të trajtuar monumentin e njohur e mori nga historia e zhvendosjeve të tij të herëpashershme brenda qytetit.
“Kam njohuri të mjaftueshme në lidhje me monumentin e 5 Heronjve të Vigut duke qenë se kam 15 vite që vij rregullisht në Shqipëri dhe jam impresionuar nga historia e këtij monumenti e në mënyrë të veçantë me zhvendosjen e tij herë pas here në zona të ndryshme të qytetit. Kjo histori më ka frymëzuar për të sjellë qasjen time ndaj tij duke qenë se unë gjykoj se kjo përbën një histori komplekse dhe jo të thjeshtë për t’u trajtuar sepse çdo lëvizje përfaqëson një kohë të caktuar e për rrjedhojë një mendësi të caktuar. Unë kam sjellë një këndvështrim timin në lidhje me monumentin por nuk pretendoj të them shumë gjëra sepse edhe njohuritë e mija mbi historinë e vendit tuaj nuk janë të plota.” -shprehet artisti italjan Fabrizio Bellomo.
Adrian Paci, artisti i arteve pamore dhe njëkohësisht drejtuesi i “Art House” flet për rëndësinë e prezantimit të këtij materiali edhe duke u nisur nga mënyra se si një shoqëri arrin ta monumentalizojë historinë e jetuar dhe sjellja e një këndvështrimi ndryshe mbi monumentet pasuron lirinë e mendimit.
Të pranishmit ndoqën me vëmendje mendimet e artistit italian lidhur me monumentin e njohur në Shkodër, atë të “5 Heronjve të Vigut”.
©️ Marjo Gjini
