Pas më shumë se 40 vitesh takohen sërish. Nostalgjia për vitet e maturës i bëri edhe njëherë tjetër bashkë këta ish-maturantë të vitit 1982 të shkollës së mesme “Kolë Idromeno” apo siç njihet ndryshe shkolla e Ndërtimit.
Edhe njëherë si dikur, që në mëngjes herët ish-maturantët pritën njëri-tjetrin me përqafime të përzemërta dhe ashtu hynë brenda ndërtesës së shkollës në klasën me kujtime të shumta.
Të ulur në bankat e klasës, ata vijuan qëndrimin e tyre me bisedat e të qeshurat pafund të kohës së matures duke kujtuar edhe ata që sot mungonin në mesin e tyre.
Ndërsa më herët edhe ish-maturantët e shkollës së mesme teknike pyjore “Kolë Margjini” pas plot 45 vitesh kujtuan vitet e bukura shkollore si maturantë ndërsa kishin udhëtuar nga qytete të ndryshme si Delvina, Elbasani, Berati, Lezha etj.
Stina e verës ka kthyer në traditë këto lloj takimesh sa të bukura aq edhe emocionuese për ish-maturantë të shkollave dhe brezave të ndryshëm ndër vite.
©️ Marjo Gjini
