“Shkodra Jazz Festival” zyrtarisht ka pak ditë që ka nisur edicionin e tij të ri ndërsa këto ditë të para po i dedikohen klasës së fizarmonikës ku në një nga mjediset e brendshme të qendrës rinore “Atelie” gjen profesor Bardh Jakovën të angazhuar me grupin e tij të studentëve të ardhur nga Italia dhe disa prej shteteve të Ballkanit. 
Ata po punojnë për të qenë gati për koncertin e parë në shesh të hapur që do të mbahet më 16 gusht në sheshin para bashkisë.
Përveç orëve të përgatitjes, natyrisht ka vend edhe për të shijuar qytetin që sikurse shprehet profesori i fizarmonikës në këto ditë gushti është më i gjallë se kurrë.
Disa nga studentët që po ndjekin masterklasat e Shkodra Jazz Festival ndihen entuziastë në lidhje me përgatitjet dhe me faktin që gjenden në Shkodër.
“Jam këtu për herë të parë dhe çdo gjë këtu po më pëlqen, është e mrekullueshme dhe do të jetë një eksperiencë shumë e bukur. Qyteti është fantastik, ushqimi i shijshëm dhe njerëzit e dashur” – shprehet njëri nga studentët e huaj.
Edicioni i trembëdhjetë i “Shkodra Jazz Festival” do të zgjasë deri në ditët e fundit të muajit gusht.
©️ Marjo Gjini