Kjo vajzë quhet Anamaria Prendi dhe violina është instrumenti që e shoqëron prej vitesh, që në kopësht. Ajo është 13 vjeçe dhe vjen nga Lezha ndonëse ka origjinë nga Shkodra. Kontaktin e parë me violinën e pati në moshën 7-vjeçare dhe që nga ajo kohë, rrugëtimi ka vijuar i pandarë.
Njohuritë për violinën Anamaria ka mundur t’i shpalosë nëpër shumë konkurse dhe kompeticione të ndryshme jo vetëm në qytetin e saj por edhe në Shkodër e Tiranë dhe arritja deri në çerekfinale në spektaklin “Virtuozët” përkrah Inva Mulës pak vite më parë mbetet një nga arritjet e saja.
Prej dy vitesh Anamaria Prendi është zhvendosur në Londër ku ka fituar të drejtën e studimit me një bursë të plotë për thellimin e mëtejshëm në instrumentin e violinës, pasionit të saj të parë duke qenë pjesë e orkestrës bazë në shkollën “The Yehudi Menuhin School”, madje më e vogla prej tyre.
Anamaria këto ditë po kalon pushimet e verës së bashku me familjen në Shqipëri dhe artistes i shkëlqejnë sytë kur flet për vendin e saj.
Muzika bën të tërheqë këdo që ka mundësi t’i dëgjojë tingujt dhe melodinë e saj e në mënyrë të veçantë njërën prej tyre dhe ajo është Tamara Gaci, bashkëshortja e Pjetër Gacit dhe teksa dëgjon vajzën e re duke luajtur në violinë, emocionet i shtohen dhe në fund ka edhe diçka për t’i thënë Anamarisë…
Anamaria Prendi është vlerësuar për arritjet e saja në violinë edhe me titullin “Krenaria e Qytetit” nga Këshilli Bashkiak i Lezhës ndërsa premton se violina do të vazhdojë të jetë instrumenti i saj i pandarë.
©️ Marjo Gjini
