Korriku solli me vete veç temperaturave të larta edhe një pasuri eventesh kulturore në Shkodër duke nisur nga koncertet e verës e deri tek “Za Fest”.
Ky i fundit i kishte të gjitha, atmosferë, ritëm, energji, adrenalinë, publik i shumtë nga Shkodra në Korçë e Prishtinë, nuk mungonin as të huajt e kjo vërehej që nga trafiku i dendur në qytet. “Za Fest” ashtu si edhe vetë emri rezultoi të ishte një festë e vërtetë edhe për këtë edicion. Ishin tre ditë feste që organizatorët i dhanë Shkodrës e në mënyrë të veçantë vendit të përzgjedhur, kalasë “Rozafa” duke e rivitalizuar atë.
Këto tre netë sollën artistë të shumtë në skenën e “Za Fest” ku çdonjëra prej netëve kishte të veçantën e vet. Artistët Elina Duni dhe Vlashent Sata ishin fryma e këtij festivali që sikurse shprehet edhe vetë ky i fundit, festivali rritet nga viti në vit duke bërë bashkë të gjitha grupmoshat nga fëmijët e vegjël tek prindërit, nga të rinjtë deri tek gjyshërit ndërsa tregon se magjia e tij do të vijojë edhe edicionin e ardhshëm në të njëjtin vend, kalanë “Rozafa”. 
Veç artistëve shqiptarë, edhe ata të huaj ditën të godisnin zemrat e publikut që nga interpretimet artistikisht të realizuara të grupit austriak “Lylit”, apo kantautorja italiane Cristiana Verardo që përveç repertorit të saj emocionoi pafundësisht çdonjërin prej të pranishmëve në kala kur këndoi shqip këngën “Moj e bukura Arbëri” e duke mos harruar vajzat e zjarrta të “Las migas” nga Barcelona që ndezën kalanë.
Në fund do të ishte shpërthimi i grupit nga Kosova “Jericho” dhe vokalistit Petrit Çarkaxhiu që këngët me motiv etno nën efektet e mrekullueshme skenike për më shumë se një orë ekzaltuan publikun e kalasë dhe tek ky motiv ai gjen të përbashkët lidhjen me “Za Fest”.
Përfundoi dhe një tjetër edicion i “Za Fest” duke lënë jo vetëm një shije të mirë por duke na bërë të kuptojmë se për organizime të tilla cilësore ka aq shumë domosdoshmëri një qytet si Shkodra.
©️ Marjo Gjini