Nata e dytë e “Za Fest” u zhvendos në kalanë “Rozafa” të qytetit me praninë e një spektatori të shumtë në numër që kishin ardhur enkas për të shijuar një spektakël të mirëfilltë artistik, jo vetëm nga Shkodra por edhe nga jashtë vendit.
Elementët e veçantë të dekorit skenografik, efektet e dritave, cilësia e pastër e tingullit të zërit dhe një publik, i gjithi në festë ishin detajet kryesore të kësaj nate.
Nga artistët pjesëmarrës të kësaj mbrëmje ishte edhe grupi i njohur austriak “Lylit” ku vokalistja e grupit shprehet e kënaqur që ndodhet për herë të parë në Shkodër dhe ka mundësi të këndojë në një festival si “Za Fest”.
Eva Klampfere, vokalistja e grupit “Lylit” u shpreh kështu:
“Ndihem e mrekulluar me vendin ku po mbahet ky festival dhe mezi po pres të ngjitem në skenë për të performuar këngët e grupit. Çdo gjë është e bukur këtu duke filluar nga peisazhi e deri tek njerëzit e pranishëm. Për festivalin “Za Fest” nuk kisha dëgjuar më parë por kur kërkova më shumë dhe pashë disa nga fotot e organizimit të tij u impresionova shumë dhe duke qenë se në Austri i duam malet dhe ky festival është i lidhur me bukuri të tilla, kam nisur ta dashuroj atë që tani.”
Ndonëse është hera e tretë që artistja e njohur Elina Duni këndon në “Za Fest”, kjo e kësaj nate është e para në Shkodër edhe pse sikurse tregon ajo këngët shkodrane i këndon më së shumti.
Magjia e natës së dytë të festivalit vijoi me artistë të tjerë ku mes tyre edhe Vlashent Sata, drejtori artistik i “Za Fest” ndërsa kalaja “Rozafa” kumboi me muzikë deri në orët e vona të darkës. “Za Fest” mbyllet me natën e tretë ku sërish kalaja e qytetit bëhet vendi mikpritës i tij.
©️ Marjo Gjini
