Atmosferë e zjarrtë, sheshi i mbushur plot e përplot me qytetarë që kishin dalë për të shijuar një tjetër natë vere, kësaj here nën ritmet e muzikës së dy artistëve Bujar Qamilit dhe Mateus Frrokut që kënduan disa prej këngëve më të bukura të repertorit të tyre duke ekzaltuar publikun, ishte kjo panorama që ofroi Shkodra mbrëmë.
Koncerti u transmetua drejtpërdrejtë edhe në rrjetin e Radio Televizionit Publik Shqiptar në kanalin më të ri RTSH Shkodra. Falë një pune të palodhur të të gjithë stafit, këtë festë të qytetit patën mundësi ta shijonin edhe ata që fizikisht nuk e kishin të mundur të ishin në sheshin para bashkisë por që përmes ekranit apo edhe platformës RTSH TANI në telefonin e tyre nuk humbën asnjë sekond nga nata e mbrëmshme.
Nga ana e tij Bujar Qamili falenderoi publikun e zjarrtë shkodran që kishte dalë në shesh për të shijuar muzikën shkodrane ndërsa Mateus Frroku e përshkroi si tepër emocionuese dhe të mbushur me adrenalinë këtë natë.
Koncertet e verës kanë nisur prej disa vitesh në Shkodër dhe ato janë kthyer në traditë tashmë. I pari i këtij viti nisi më 4 korrik për të vazhduar më pas me të tjerë dhe për t’u mbyllur më 27 korrik ku të ftuar do të jenë Aleksandër Gjoka, Redon Makashi dhe Elton Deda.
©️ Marjo Gjini
