Festivali i ushqimeve dhe pijeve e transformoi sheshin para bashkisë në një merkatë të madhe ku servireshin pjatat dhe gatimet më të mira të restoranteve të qytetit si dhe produktet lokale të zonës. Prania e disa prej bizneseve që operojnë në qytet në fushën e gastronomisë solli interesin e qytetarëve për t’u njohur më nga afër me to por edhe për provuar shijen e gatimeve bio.
Të pranishëm në panairin gastronomik ishin edhe shefat italianë të ardhur enkas për edicionin e parë të festivalit ku në fjalën e tyre përshëndetën iniciativën e organizatorëve.
Shefi i njohur i kuzhinës Carlo Zarri nga Italia shprehet kështu: 
“Jemi vërtetë shumë të mahnitur. Qëkurse u njohëm me organizimin rreth një muaj më parë kuptuam që ky do të ishte një organizim perfekt. Jam gjithashtu i gëzuar që arrita të njoh disa djem të rinj të talentuar të qytetit tuaj në fushën e gastronomisë që ja shtojnë edhe më shumë vlerën kuzhinës së zonës tuaj dhe kjo për mendimin tim është një mundësi e shkëlqyer për të ardhmen e këtyre të rinjve në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë.”
Ndërsa publicisti italian Edoardo Raspelli thekson:
“Ky festival për mua ishte një surprizë dhe sodisfaksion i madh. Unë kam shkruar për shumë vite me radhë në blogun tim rreth kulinarisë dhe traditës së gatimit të restoranteve italiane. Kam patur mundësi të vizitoj dy të tilla me bazë peshku në qytetin tuaj dhe kam mbetur shumë i kënaqur dhe mbi të gjitha nga historia e dy shefave të kuzhinës të cilët bartnin një histori emigrimi prej 16-17 vitesh në Itali dhe kishin arritur jo vetëm ta mësonin këtë art por ta perfeksiononin gatimin me produktet e zonës.”
Kryetari i bashkisë Bardh Spahia u shpreh se ky nuk është një festival që promovon vlerat gastronomike të qytetit por edhe i resurseve dhe bukurive natyrore të Shkodrës ndërsa theksoi se ai do të shndërrohet në traditë.
Në orët e mbrëmjes festës ju shtua edhe muzika duke vijuar me artistët që performuan deri në orët e vona të saj duke bërë që të gjithë ata që kishin mbushur sheshin ta shijonin atmosferën e krijuar.
©️ Marjo Gjini