Ka nisur në Shkodër edicioni i parë dedikuar festivalit të ushqimit dhe pijeve “Shkodra International Food Event” ku pasditja e natës së parë mblodhi organizatorët e eventit në konferencën për shtyp e cila u zhvillua në ambjentet e jashtme të restorantit “Tradita Geg & Toskë”.
E konceptuar në formën e një panairi gastronomik ku servireshin disa prej gatimeve tradicionale të Shkodrës nga shefat e restoranteve më të mirë të qytetit ku ajo që dominonte më së shumti ishte tava tradicionale e krapit, peshkut kryesor të liqenit të Shkodrës.
Konferenca nisi me fjalët përshëndetëse të kryetarit të bashkisë, Bardh Spahia ndërsa pjesë e panelit në rolin e të ftuarve special ishin shefi i njohur italian Carlo Zarri dhe shkrimtari Edoardo Raspelli si dhe të ftuar të tjerë të ardhur nga Italia të lidhur me fushën e gastronomisë.
Më tej gjatë mbrëmjes u nderuan me çertifikata vlerësimi disa prej restoranteve të qytetit për shërbimin dhe cilësinë në fushën e kulinarisë ndërsa të pranishmit patën mundësi të provonin disa prej gatimeve nën ritmet e muzikës shoqëruese.
Festivali i ushqimit dhe pijeve do të vazhdojë edhe për dy ditë të tjera me promovimin e bukurive natyrore të pasuruara me traditën e kulinarisë.
©️ Marjo Gjini
