Në mjediset e Galerisë së Arteve të qytetit u zhvillua ekspozita me punime pikture dhe grafike nga studentët e Departamentit të Arteve të universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. 
Kjo ekspozitë ishte vazhdë e traditës së nisur që në vitin 2011 ku punimet artistike më të mira të një viti akademik prezantohen për publikun artdashës të artit vizual.
Në dallim nga vitet e tjera, e veçanta e kësaj ekspozite është se ajo vjen e zgjeruar edhe në zhanre që nuk i përkasin vetëm pikturës dhe grafikës siç janë videoarti dhe instalacioni ku janë shtuar edhe disa teknika të reja të kësaj fushe.
Pjesë e kësaj ekspozite në rolin e të ftuarës ishte edhe rektorja e universitetit “Luigj Gurakuqi”, Suzana Golemi e cila në mënyrë të veçantë u ndal tek puna e mirë e bërë prej pedagogëve të këtij departamenti.
Nga ana e tyre, disa prej studentëve pjesëmarrës të kësaj ekspozite përqëndrohen tek mesazhet që kanë dashur të përcjellin tek publiku me punimet e veta artistike.
Ekspozita që finalizon punën e studentëve për vitin akademik 2021 – 2022 do të qëndrojë e hapur për disa ditë me radhë në Galerinë e Arteve të qytetit.
©️ Marjo Gjini