Prej 31 vitesh, fokusi i saj janë Shqipëria dhe shqiptarët dhe duke nisur nga viti 1991 e deri më tani ajo ka arritur të fiksojë në aparatin fotografik mijëra imazhe. Bëhet fjalë për fotografen gjermane Jutta Benzenberg e cila hapi ekspozitën e saj në mjediset e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Drejtuesi i muzeut, Luçjan Bedeni theksoi në fjalët e tij  se muzeu e kishte të pamundur të qëndronte indiferent ndaj punës dhe kontributit të fotografes gjermane Benzenberg.
Jutta Benzenberg tregon se shqiptarët janë njerëz që ndryshe nga gjermanët i shprehin më lehtë emocionet dhe kjo është një nga arsyet kryesore që ajo ka vendosur t’i fiksojë ata me aparatin e saj fotografik.  
Megjithëse përgjatë këtyre 31 viteve ajo ka lëvizur nga Dukagjini në Himarë nëpër Shqipëri, Benzenberg thotë se ka ende për të zbuluar nga vendi yne.
Kuratorja e ekspozitës, Kim Knoppers nga Hollanda vlerëson fotografen Benzenberg dhe mbi të gjitha cilësitë që e karakterizojnë punën e saj.
Në fotografitë e Benzenberg bie në sy prania e njerëezve që nuk jetojnë në qytet por në fshatra dhe male, njerëz që nuk i përshtaten rregullave të një shoqërie patriarkale apo njerëz që jetojnë si nomad apo që përballen me trauma individuale e kolektive. Ekspozita me fotografitë e saj do të qëndrojë e hapur në ambjentet e muzeut “Marubi”.
©️ Marjo Gjini