Atmosfera e darkës në Shkodër u pasurua edhe më shumë me nisjen e koncerteve të verës, një nisëm e kthyer në traditë tashmë prej disa vitesh ku protagonistet e para të kësaj mbrëmje ishin dy artistet e suksesshme shkodrane Rezarta Smaja e Jozefina Simoni.
Nën moderimin e Ketlin Pjalmit, ky koncert i parë nisi me këngë amerikane për të përshëndetur popullin mik me rastin e Ditës së Amerikës ndërsa sheshi para bashkisë u shndërrua në epiqendrën e festës deri në orët e vona të darkës.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte ngjitja në skenë e gjeniut të vogël Ea Zoga për të përshëndetur qytetarët që kishin mbushur sheshin ku në mesin e tyre ishte edhe kryetari i bashkisë Bardh Spahia që preferoi ta shijonte koncertin e parë në këmbë për orët që zgjati.
Rezarta Smaja dhe Jozefina Simoni falenderuan publikun që kishte mbushur sheshin në këtë mbrëmje festive.
Me dy nga këngët ikonike shkodrane, atyre të Luleborës dhe Margjelos, rrethuar nga fëmijët u mbyll kjo natë e parë ndërsa ky ishte vetëm fillimi nga koncertet e verës duke qenë se përgjatë muajit korrik do të ketë dhe të tjerë ku ai i radhës dhe më i afërti do të zhvillohet në datën 14 të këtij muaji dhe të tjerë artistë pritet t’i japin atmosferë darkave verore të qytetit.
Për më shumë klikoni këtu.
©️ Marjo Gjini
