Festivali që bën bashkë muzikën, filmin, poezinë dhe legjendat “Za Fest” do të zhvillojë edicionin e tij të gjashtë dhe ndryshe nga edicionet e para kur ai i jepte “za” Thethit, edhe për këtë vit do të mbahet në Shkodër ndërsa janë përcaktuar edhe datat e organizimit të tij në qytet.
“Za Fest” do të zhvillohet në fundin e këtij muaji në datat 28, 29 dhe 30 korrik ndërsa premtohen emocione pafund edhe për edicionin e ri. Nata e parë e tij pritet të mbahet në oborrin e familjes së doktor Shirokës për të ardhur më pas në natën e dytë të tij ku kalaja “Rozafa” është përcaktuar si vendi mikpritës dhe po aty do të përmbyllet edhe nata e tretë e “Za Fest”.
Organizatorët e festivalit nuk i kanë zbuluar të gjitha risitë e festivalit megjithatë mësohet se disa prej emrave të rëndësishëm të muzikës shqiptare do të jenë pjesë e tij. Artistja e njohur Elina Duni do të jetë një nga të ftuarat e edicionit të gjashtë dhe ajo do të këndojë në natën e dytë të festivalit me 29 korrik në kalanë e qytetit ku do të shoqërohet edhe nga grupi “Rob Luft Band” ndërsa surpriza të tjera  
Kujtojmë që edhe vitin e shkuar festivali i njohur me drejtues artistik Vlashent Satën u zhvillua në Shkodër në zonën e Gjuhadolit, pikën turistike të Shirokës dhe kalanë “Rozafa” ndërsa performuan emra të njohur ku mes tyre ishte edhe Gjon’s Tears, përfaqësuesi shqiptar i Zvicrës në Eurovision. Festivali i promovimit të vlerave më të mira të artit dhe veriut edhe për këtë vit premton të tjera risi.
©️ Marjo Gjini