Ansambli i artistëve shkodranë të qendrës kulturore “Pjetër Gaci” pati ndalesën e radhës, në Malin e Zi ku për herë të parë u zhvillua nata dedikuar muzikës shkodrane me ftesë të komunës së Tuzit në pikën turistike të Vitojës pranë brigjeve të liqenit të Shkodrës.
Një koncert me një repertor të pasur këngësh shkodrane të drejtuar mjeshtërisht nga trioja Bardhyl Hysa, Dritan Mlika dhe Ilir Zoga ku spikati atmosfera e krijuar nga Mukades Çanga, zëri kumbues i këngëtares Orjeta Kelaj, interpretimi emocionues i anëtarit më të vjetër Ruzhdi Çekaj, të grupit “Karajfilat”, dueti shkodran i Bulqizakes kënduar nga soprano Blerta Cina dhe Laorjan Ejlli si dhe shumë artistë të tjerë.
Përveç publikut vendas kishte edhe nga ata shkodranë “fanatikë” që kishin ardhur nga Italia për të ndjekur këtë koncert në Mal të Zi.
Artistët shkodranë do të vijojnë sërish të përçojnë vlerat më të mira të muzikës shkodrane me turet e tyre artistike edhe në qytete të tjera.
©️ Marjo Gjini
