Anila Hetoja është artistja shkodrane që edhe pse ka shumë vite e shkëputur nga ky qytet, sërish dashuria për të e kthen herë pas here përmes projekteve të reja artistike duke qenë se në Shkodër ajo mori dashurinë për artin, për të bukurën dhe hodhi penelat e parë në telajo.
Kësaj here, ajo erdhi “Retro” sepse kështu vendosi ta quajë ekspozitën që u çel në ambjentet e galerisë “ODA” me punime ku dallohet harmonia e ngjyrave dhe mbi të gjitha motivet e veriut përmes veshjeve tradicionale që ravijëzohen në pikturat e realizuara nga artistja e njohur.
Ekspozita “Retro” është produkt i një pune disa vjeçare dhe emocionet dhe gëzimi janë të pamundur për t’u fshehur sepse veç projektit të realizuar me sukses Anila feston edhe ditëlindjen njëkohësisht.
“Retro” është e disata ekspozitë në rendin e atyre që artistja ka prezantuar për publikun jo vetëm në Shkodër e Tiranë por edhe në shumë qytete të ndryshme jashtë vendit ndërsa ekspozita e parë daton në vitin 2016 me tematikën e quajtur “Love”.
©️ Marjo Gjini
