Një ceremoni e thjeshtë por mjaft e këndshme ishte ajo që u zhvillua në shtëpinë ku kaloi jetën kompozitori shkodran Prenkë Jakova me rastin e 105-vjetorit të lindjes. 
Në të merrnin pjesë disa figura dhe personalitete të qytetit, mes tyre dhe kryetari i bashkisë Bardh Spahia, i cili do ta përshëndeste aktivitetin ndërsa në fund të tij, i shoqëruar edhe nga Lekë Jakova, nipi i kompozitorit do të zbulonin pllakadën e vendosur në murin e jashtëm të ndërtesës, një pllakadë e cila tregon se pikërisht në atë shtëpi u lind kompozitori i njohur dhe i vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit”.
Muzika nuk do të mungonte as kësaj here në shtëpinë e muzikantit me disa pjesë të interpretuara nga artistë të qytetit si dhe Orkestra Frymore e saj.
Kompozitori i njohur shkodran Prenkë Jakova përveçse i dhuroi muzikës shqiptare shumë këngë ku mes tyre do të spikasnin “Synin si qershia” dhe “Margjelo” ndërsa ai ishte dhe autori i operës së parë shqiptare “Mrika”. Emrin e tij e mbajnë sot 3 shkolla në Shkodër, Prishtinë e Gjakovë ndërsa në qytetin e tij të lindjes ka edhe një kor shumë të suksesshëm me emrin “Prenkë Jakova”.
©️ Marjo Gjini