Nën ritmet e muzikës shkodrane dhe asaj të lehtë të dhuruara nga zëri i këngëtares shkodrane Rezarta Smaja, së cilës më vonë do t’i bashkohej edhe një zë tjetër emblemë i Shkodrës, Mukades Çanga, Shtëpia e të Moshuarve ishte e gjitha në festë ndërsa nuk munguan dhe personalitete të qytetit.
…dhe për të festuar nuk duhet të ketë gjithmonë një arsye por me iniciativën e Mirsad Bashës, drejtuesit të organizatës në mbrojtje të mjedisit “Eko Mendje” në bashkëpunim me stafin e kësaj shtëpie organizuan këtë natë të bukur shkodrane.
Ndonëse kjo festë ishte e dedikuar në mënyrë të veçantë për gjyshërit, të cilët të veshur me kostume kombëtare dukeshin më bukur se kurrë, ajo ishte një ftesë e hapur për këdo që kishte dëshirë të shijonte muzikën shkodrane.
Edhe Fatjon Hoxha, drejtuesi i institucionit thotë se këto festa kanë nisur të shndërrohen në traditë në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër dhe gjyshërit mezi i presin ditë të tilla.
Ndërsa këngëtarja Rezarta Smaja bëri një ftesë për artistët e tjerë që t’i bashkohen sa më shumë nismave të tilla.
Kjo nuk ishte vetëm një natë e mbushur me këngë por edhe vargje poezie emocionuese, të interpretuara mjeshtërisht nga aktori shkodran Agron Dizdari ndërsa në fund u dhuruan lule për të gjithë gjyshërit e kësaj shtëpie.
©️ Marjo Gjini
