Një koncert i larmishëm me disa prej veprave më të mëdha botërore dhe atyre shqiptare ishte ai që dhuroi orkestra frymore e qytetit në sheshin para bashkisë në natën e mbrëmshme për afro 70 minuta duke mbajtur të mbërthyer me atmosferë të bukur spektatorët e pranishëm.
Orkestra frymore nën dirigjimin e Admir Lekës pati mundësi të luante pjesë muzikore nga Bethoven, Verdi, John Williams, Xhoachino Rossini etj. ndërsa pjesë e kësaj mbrëmje muzikore të iniciuar nga qendra kulturore “Pjetër Gaci” u bë edhe solistja e njohur shkodrane që prej vitesh jeton në Itali, Klodiana Brahimi teksa dhuroi emocione të shumta me interpretimin e disa këngëve e në mënyrë të veçantë “Bareshës”.
Një moment i veçantë i kësaj mbrëmje ishte ai për Kujtim Alinë teksa protagonistët e skenës patën mundësi ta kujtonin njeriun që i la një pasuri të jashtëzakonshme artistike Shkodrës.
Disa prej atyre që ishin pjesë e kësaj shfaqje muzikore vlerësojnë magjinë e kësaj mbrëmje.
Kjo mbrëmje muzikore u zhvillua në kuadër të ditës ndërkombëtare të muzikës duke përmbyllur kështu edhe aktivitetet e kësaj dite. Koncerti do të transmetohet në ditët në vijim në RTSH Shkodra.
©️ Marjo Gjini