Dita Ndërkombëtare e Muzikës mblodhi disa prej muzikantëve më në zë të Shkodrës në hollin e teatrit “Migjeni”, muzikantë që po vazhdojnë të japin akoma kontributin e tyre në muzikën e qytetit dhe jo vetëm.
“Ndonëse muzika nuk po ecën në drejtimin e duhur, Shkodra është vendi i duhur për të folur e diskutuar rreth sfidave me të cilat përballet muzika sot”, – ishin këto disa nga fjalët që drejtuesja e teatrit, Rita Gjeka preferoi të hapte këtë takim mes artistësh.
Edhe personalitete të njohura në fushën e muzikës si Markelian Kapidani dhe Dritan Mlika vlerësojnë arritjet dhe projektet muzikore që realizohen në Shkodër por sikurse shprehen ata, muzika ka nevojë edhe për debate konstruktive dhe ide të reja që ndihmojnë në zhvillimin e saj dhe të njëjtin mendim ndan edhe përfaqësuesja e brezit të ri, këngëtarja Ana Bushgjokaj.
21 qershori njihet si Dita Ndërkombëtare e Muzikës dhe kjo ditë do të përmbyllet sonte me një koncert nga artistë tenorë dhe soprano në sheshin para bashkisë ndërsa qëllimi i kësaj dite është institucionalizimi dhe promovimi i vlerave më të mira që bart muzika.
©️ Marjo Gjini