Genti Tavanxhiu, artisti nga Shkodra është i njohur për sukseset e tij ndërkombëtare në mënyrë të veçantë në fushën e skulpturës monumentale por pa lënë mënjanë edhe pikturën. Ai ka vite që jeton në Itali ku ka krijuar edhe laboratorin e tij artistik por në Shkodër vendosi të sjellë disa prej punimeve të tij në këto dy fusha të artit pamor, punime këto që në fakt i kishte planifikuar që përpara nisjes së pandemisë Covid-19 por për shkakun e saj u pamundësua edhe projekti i ekspozimit të tyre.
Ekspozita përmban punime të disiplinave të ndryshme të arteve pamore ku bien në sy ngjyrat e larmishme dhe detaje të tjera.
Titulli i kësaj ekspozite është “ES”, që e përkthyer në shqip do të thotë “pavetëdija” dhe artisti shkodran tregon arsyen nga mori shkak për ta emërtuar në mënyrë të tillë atë.
Edhe ish-profesori i tij, Ferid Kola vlerëson pjekurinë profesionale të artistit e në mënyrë të veçantë lirinë me të cilën ai shpreh artin e tij.
Punimet artistike në pikturë e skulpturë të artistit shkodran Genti Tavanxhiu do të vazhdojnë të jenë të ekspozuara për publikun deri më 30 qershor në Galerinë e Arteve të Shkodrës.
©️ Marjo Gjini
