Freskinë e ujërave të liqenit shoqëruar me perëndimin e magjishëm të diellit dhe panoramën e mrekullueshme, Shirokës ja shtuan hijeshinë edhe aktivitetet e mbrëmjes që po organizohen për festën e liqenit.
Pasditja nisi me shfaqjen e një dokumentari kushtuar notarëve të njohur të familjes Muriqi ndërsa në një kënd tjetër të skenës së improvizuar në natyrë ngjallën interes disa shtëpiza të vogla druri shoqëruar nga një dizajn shumëngjyrës, të punuara nga nxënës të shkollës artistike “Prenkë Jakova”.
Më tej mbrëmja në Shirokë vijoi me shfaqjen e një tjetër dokumentari, kësaj here dedikuar botës së egër dhe florës e faunës së liqenit të Shkodrës e për tu përmbylluar në orët e vona të darkës me një film artistik.
Aktivitetet për festën e liqenit vijojnë përgjatë të gjithë ditës së sotme me panaire, muzikë, gara sportive në liqen dhe do të mbyllen në darkë me koncertin e pianistëve të vegjël si dhe me artistë të tjerë të ftuar.
©️ Marjo Gjini