Një konferencë shkencore dedikuar figurës së lartë të arsimit shqiptar Vehbi Hoti për nder të kontributit të dhënë në arsimin shqiptar dhe që përkonte edhe me 80-vjetorin e lindjes së akademikut u zhvillua sot në mjediset e Rektoratit të universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Pjesëmarrja e shumtë në numër shoqërohej edhe nga prania e akademikëve të njohur nga Shkodra, Tirana dhe më gjerë ndërsa pjesë e kësaj konference ishte edhe rektorja e këtij universiteti Suzana Golemi.
Të gjithë me radhë vlerësuan punën e madhe që Vehbi Hoti ka dhënë në arsimin shqiptar si pjesë e vyer e një trashëgimie intelektuale ndër vite ndërsa konferenca u përshëndet edhe nga pjesë instrumentale me autor një prej kompozitorëve argjentinas ndërsa vetë profesor Hoti shprehet i nderuar për vlerësimet e bëra në adresë të tij.
Profesor Vehbi Hoti ka dhënë një kontribut të vyer përmbi gjysëm shekulli në arsimin shqiptar duke u dalluar për cilësitë e tij të shquara akademike dhe intelektuale. Ai njihet si autor i më shumë se 50 artikujve shkencorë duke hapur rrugën e studimeve shkencore për të tjerët që do të pasonin më tutje si dhe dy monografive. Ai është nderuar përgjatë viteve me tituj të shumtë mes të cilëve edhe me urdhërin “Naim Frashëri i Artë” e shumë të tjerë.
©️ Marjo Gjini
