Festivali teatror për fëmijë në Berat “Një mbi Një Dritaret” i mbajtur në kalanë e qytetit shënoi fundin e edicionit të tij të dytë dhe ku pjesë e tyre ishte edhe trupa nga Shkodra, e cila konkuroi me shfaqjen “A ta laç” të Ernest Koliqit me regjinë e aktorit shkodran Fritz Selmani.
Kjo trupë e përbërë nga të rinjtë Evis Muriqi, Dea Krosi, Juled Shkjau, Alesia Zefi dhe Glen Taipi të gjimnazit publik “28 Nentori” bëri një prezantim të shkëlqyer përpara publikut beratas duke merituar në fund edhe vlerësimin nga juria me çmimin “Onufri” në këtë festival.
Pjesëmarrjen e tyre në festivalin teatror të Beratit këta të rinj e vlerësojnë si një ndër eksperiencat më të bukura deri tani ndërsa tregojnë edhe për kohën e që i ka marrë përgatitja e kësaj shfaqje si dhe flasin për bashkëpunimin me aktorin Fritz Selmani.
Aktori i teatrit “Migjeni” Fritz Selmani, njëkohësisht dhe regjizori i shfaqjes “A ta laç” vlerëson punën e këtyre të rinjve e në mënyrë të veçantë të prindërve të tyre për mbështetjen që u japin fëmijëve dhe shprehet i kënaqur që Shkodra vazhdimisht prodhon elementë të talentuar në fushën e artit.
Edicioni i dytë i Festivalit Teatror të Beratit solli pjesëmarrjen e 10 trupave nga e gjithë Shqipëria si dhe një publik të shumtë në numër gjatë ditëve të zhvillimit të tij.
©️ Marjo Gjini
