Në skenën e teatrit “Migjeni” u rikthyen sërish emocionet e një premiere të re që kësaj here kishte të bënte me tragjikomedinë “Gjaja” të autorit Joe Orton dhe me regji nga Altin Basha.
Një komedi e zezë që trajton problematikat dhe fenomenet e shoqërisë angleze të kohës por që duken mjaft aktuale edhe në shoqërinë shqiptare.
Tragjikomedia “Gjaja” nisi që në portën hyrëse të teatrit aty ku tre nga aktorët e shfaqjes ishin vendosur në ambjentet e hollit të brendshëm të tij duke i paraprirë interpretimit në skenë së bashku me pjesën tjetër.
Në dallim nga shumica e herëve ku në teatër vihet për t’u argëtuar dhe qeshur ajo e natës së mbrëmshme ishte më shumë një shkundje e vetëdijes së çdonjërit prej nesh për çështje të rëndësishme të shoqërisë, aq aktuale sot e kësaj dite, e kombinuar kjo në mënyrë të jashtëzakonshme edhe me skenografinë e shndërruar në një ambjent mortor.
Pas përfundimit të shfaqjes regjizori Altin Basha u shpreh se kjo premierë do të mbetet nga më të veçantat në jetën e tij.
Edhe disa nga aktorët e kastit ndalen në mesazhet e forta që përcjell kjo tragjikomedi.
Premiera “Gjaja” është e dyta për regjizorin Altin Basha në Shkodër pas vendosjes në skenë të shfaqjes “Gomari i Babatasit” disa vite më parë.
©️ Marjo Gjini
