Prej pak ditësh në vendin tonë po mbahet festivali mbarëkombëtar i teatrove për fëmijë ndërsa kalaja e Beratit është përzgjedhur si vendi i zhvillimit të këtij kompeticioni për këtë edicion të dytë të tij. Festivali ka përfshirë 10 trupat e disa qyteteve kryesore në konkurim ku artistë të grupmoshës 8-16 vjeç do të performojnë për 10 netë me radhë ndërsa merr pjesë në të edhe trupa e fëmijëve shkodrane me shfaqjen “A ta laç” të Ernest Koliçit por të vënë në skenë nga aktori i teatrit “Migjeni” Fritz Selmani.
Trupa shkodrane përbëhet nga Juled Shkjau, Evis Muriqi, Dea Krosi, Alesia Zefi dhe Gleni Taipi ndërsa shoqërohen nga aktorët Aleksandër Prenga dhe Lusi Bregu dhe arsyeja kryesore pse ata kanë zgjedhur të përfaqësohen me këtë shfaqje është sepse mesazhet janë të forta dhe ato u drejtohen në mënyrë të veçantë të rinjve.
Në fund aktori shkodran shprehet se u ka dhënë edhe një këshillë fëmijëve në lidhje me çmimet dhe vlerësimet.
Festivali Mbarëkombëtar i Teatrove për Fëmijë “Një mbi Një Dritaret” do të vazhdojë deri me 10 qershor në kalanë e qytetit të Beratit.
©️ Marjo Gjini