Arti gjithmonë përcjell mesazhe të rëndësishme në çdo formë që ai lëvrohet. Këtë kanë zgjedhur të bëjnë Valdeta Ibishi dhe Elma Sherifi me pikturat e tyre. Dy artistet e reja janë nga dy qytetet shqiptare të Maqedonisë së Veriut: Kërçova dhe Tetova ndërsa janë bërë bashkë duke prezantuar punimet e tyre në pikturë nën titullin “Women for Women”. Në pikturat e Valdetes fokusi duket se janë shtëpitë e rrënuara, nga ato më të vjetrat, të mbrojtura nga ligjet e shtetit por jo nga njerëzit, një situatë e ngjashme kjo edhe me realitetin e monumenteve të kulturës në Shkodër.
Ndërsa fokusi i punimeve të Elmës është gruaja në mënyrën më sublime të saj ku përmes këndvështrimit artistik kërkon të transmetojë mesazhin e forcës dhe qëndresës përtej vështirësive dhe shtypjes që i bëjnë herë pas here dhe ky realitet nuk lidhet vetëm me gratë shqiptare por shumë më gjerë.
Megjithatë sipas mendimit të Valdetes në kohët aktuale gruaja shqiptare ka fituar pozicione të reja në shoqëri duke qenë më e vendosur përpara sfidave me të cilat përballet në realitetin e sotëm.
Arti në të gjithë botën flet me të njëjtën gjuhë dhe dy artistet shqiptare në Maqedoninë e Veriut thonë se fakti që ato janë shqiptare nuk përbën shkak për diskriminim dhe se ajo kohë duket e shkuar tashmë. Ardhja në Shkodër i bën të dyja të ndihen mirë duke qenë se ato gjejnë edhe të përbashkëta me qytetet ku ato jetojnë.
Dy artistet shqiptare ekspozuan punimet e tyre në mjediset e galerisë “Oda” duke ngjallur interes tek vizitorët e pranishëm.
©️ Marjo Gjini
