Java e kulturës franceze i ka lënë radhën javës amerikane me aktivitete të shumta që kanë nisur të zhvillohen në Tiranë dhe në Shkodër, aktivitete këto që janë të organizuara nga ambasada amerikane në vendin tonë në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Kulturës dhe institucione të tjera. Pikërisht në këtë të fundit po shfaqen filma të ndryshëm në mjediset e hapura të qytetit, duke rikthyer kështu një traditë të vjetër të Shkodrës siç është ajo e kinema verores.
Hapësira e blertë tek shatërvani përpara bashkisë, në qendër të qytetit u bë stacioni mikpritës i filmit të përzgjedhur për t’u shfaqur, i cili në fakt ishte një gjetje më vete nga organizatorët. Filmi shqiptar “Edhe kështu, edhe ashtu” shkaktoi interes tek publiku që ishin ulur këmbëkryq për ta parë të plotë deri në fund për vetë batutat e famshme të filmit.
Binte në sy prania e fëmijëve të shoqëruar nga prindërit e tyre por edhe e të rinjve të shumtë si asnjëherë më parë në organizime të tilla që kishin zgjedhur për të kaluar dy orë të këndshme dhe jo vetëm.
Përtej rikthimit të kinema verores, java amerikane në Shkodër parashikon edhe koncerte muzikore në pedonalen e qytetit por më i veçanti duket se do të jetë ai me muzikë rock që do të zhvillohet në mjediset e kalasë “Rozafa” nga banda “Touch n’Go” e Forcave Ajrore Amerikane në Europë ku e pranishme pritet të jetë edhe ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim.
©️ Marjo Gjini