Erioni është një i ri shkodran me një talent të veçantë për udin, instrumentin e lashtë lindor me të cilin dikur shoqëroheshin edhe këngët e vjetra të ahengut.
Ai nuk është një muzikant apo instrumentist i mirëfilltë dhe pasionin e tij për muzikën duket se e ka marrë nga babai, i cili në rininë e tij të hershme ka qenë valltar dhe fizarmoniçist apo ndoshta edhe nga tezja e tij e cila ka patur një pasion për violinën dhe mbase këtu duhet ta kërkojmë dëshirën e Erionit për muzikën. Megjithatë kontaktin e parë me udin e pati gjatë një udhëtimi në Turqi.
Erioni ka pesë vite që udin nuk e ka ndarë nga vetja e tij dhe me këtë instrument luan më së shumti këngë të vjetra shkodrane sepse sikurse thotë ai kur luhen me ud marrin një tingull më të ëmbël.
Udi ngjan me kitarën por ato kanë dallime nga njëra-tjetra dhe të mësosh këtë instrument nuk është aspak e lehtë dhe Erioni tregon se sa i vështirë ka qenë mësimi i këtij instrumenti.
Përtej pasionit të tij për muzikën dhe instrumentin e udit, Erioni ka vendosur që të studiojë për grafik dizajn ku prej pak kohësh edhe ka nisur ta ushtrojë.
Djaloshi shkodran shprehet se edhe në të ardhmen pavarësisht asaj se çfarë do të vendosë të bëjë përsëri udi do të mbetet bashkëudhëtarja e tij duke mos e braktisur asnjëherë.
©️ Marjo Gjini
