Shkodrës i është shtuar edhe një festival tjetër dhe ideja e të riut nga Shkodra u përkrah edhe nga të rinj të tjerë. Bëhet fjalë për një festival që evidenton muzikën elektronike duke e gërshetuar me promovimin e bukurive natyrore të Shkodrës sepse edhe vendi i përzgjedhur për edicionin e parë të Gecko Fest ishte një ishull i vogël në lumin Buna pranë Njësisë Administrative të Zusit.
Të rinj që festonin dhe kërcenin nën ritmet e deejay-ve që luanin muzikë elektronike, të tjerë që kishin shpalosur artin e tyre të krijimit përmes bodypainting apo punimeve handmade, barbiecue etj. u bënë bashkë duke sjellë një atmosferë feste të vërtetë pranë brigjeve të Bunës.
Disa nga të pranishmit në festë shprehen se evenimente dhe festa të tilla i mungojnë qytetit dhe krijimi i të tillave është i domosdoshëm dhe duhen shndërruar në traditë.
Festa e nisur diku rreth pasdites vijoi për orë me radhe duke i dhënë fundjavës në Shkodër ngjyra më shumë në nisje të sezonit turistik.
©️ Marjo Gjini