Festivali i filmit “Idromeno” shënoi fundin e edicionit të tij të parë. Ashtu si ceremonia e hapjes së tij edhe ajo e mbylljes u zhvillua në rrugën muzeale të Gjuhadolit, ngjitur me shtëpinë e artistit multidimensional Kolë Idromeno, emrin e të cilit mban edhe festivali. Rrethuar nga njerëzit e pranishëm që kishin mbushur rrugën historike ky festival ndonëse eksperimental synon të shndërrohet në traditë duke synuar të promovojë jo vetëm kineastët e rinj por edhe Shkodrën si qytet me bukuritë e tij. Si një eksperiencë fantastike e vlerëson këtë festival drejtuesja e saj.
Edhe përgjegjësja e sektorit të artit në bashki, Bruna Keçi e vlerëson si një risi, organizimin e këtij festivali në qytetin e Shkodrës duke siguruar se institucioni që ajo përfaqëson do të vazhdojë të përkrahë nisma të tilla.
Edhe një prej të ftuarave të këtij edicioni, anëtare e jurisë së festivalit, Emilie Richelle nga Belgjika ndihet e nderuar që ishte pjesë e një organizimi të tillë.
“Fillimisht dua të them se ndihem shumë krenare që mora ftesën nga organizatorët për të qenë pjesë e edicionit të parë të festivalit. Mendoj se ishte një edicion i shkëlqyer ku drejtuesit kishin menduar ta pasuronin me shumë aktivitete dhe gjëra të bukura. Unë pashë filma vërtetë interesantë dhe ndihem e lumtur që isha pjesë e jurisë së festivalit”.
Festivali përzgjodhi edhe fituesit e tij në 4 kategori çmimesh: atë të cilësisë më të mirë që e fitoi regjizori Miguel Velez me filmin “Time for Love”, çmimi i regjisë më të mirë u fitua nga regjizori Cezar Dias me filmin “Nuestras Madres”, filmi me metrazh të shkurtër më i mirë u shpall ai me titullin “Pops” nga regjizori Lewis Rose si dhe një çmim për kategorinë e studentëve që u fitua nga Mauro Zaçe me filmin “Guri’s Blue Window”. Festivali “Idromeno” zgjati për plot një javë dhe pjesë e tij u bënë mbi 50 filma me metrazh të gjatë dhe të shkurtër sëbashku.
©️ Marjo Gjini
