Shkolla e mesme profesionale “Hamdi Bushati” nisi sot javën e dyerve të hapura me qëllim nxitjen e nxënësve të ciklit 9-vjeçar të zgjedhin këtë shkollë për të ndjekur studimet e tyre në të ardhmen.
Kjo shkollë ofron tre drejtime studimi që janë: Hoteleri-Turizëm, Ekonomi-Biznes dhe Tekstil-Konfeksioni dhe dallohet në mënyrë të veçantë për infrastrukturën e mirë me klasat dhe laboratoret e saj në kushte bashkohore.
Instruktori i praktikave profesionale, Risalt Ceka tregon edhe degën që përbën një interes më të shtuar përsa i përket studimit nga ana e nxënësve dhe arsyet që nxiten për ta bërë një zgjedhje të tillë.
Shkolla numëron aktualisht rreth 800 nxënës që studiojnë në degët dhe profilet që ofron kjo shkollë dhe ata shprehen se qëllimi kryesor pse kanë zgjedhur këtë shkollë është integrimi më i shpejtë në tregun e punës.
Java e dyerve të hapura në shkollën e mesme profesionale “Hamdi Bushati” do të zgjasë deri më 19 maj duke i ofruar akses në ambjentet e brendshme të saj kujtdo që ka interes për të zgjedhur shkollën në të ardhmen.
©️ Marjo Gjini
