Pas koncertit të dy artistëve Inva Mula dhe Genc Tukiçi, teatri “Migjeni” hapi sërish dyert për publikun shkodran, kësaj here me një tjetër koncert të titulluar “Trio Rêve” i përbërë nga tre instrumentistët Adem Hasani në piano, Dardan Osmani në violinë dhe Igert Zeqiri në violonçel.
Pjesët instrumentale të luajtura ishin të frymëzuara nga studimet e përmbledhura të 16 shekujve muzikë shqiptare prej Ramadan Sokoli dhe aranzhuesi e njëkohësisht studiuesi Armand Broshka e ka vazhduar këtë studim të etnomuzikologut të njohur shqiptar duke u thelluar edhe më tej e duke zbuluar edhe autorë të tjerë shqiptarë të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në muzikë shekuj përpara.
Edhe pianisti i koncertit, Adem Hasani me origjinë nga Prishtina shprehet se ndjen emocion kur e mendon se do të performojë në skenën e teatrit “Migjeni” disa prej pjesëve muzikore që nisin që nga epoka e bizantit e ndoshta edhe më herët.
Duhet thënë se përmes studimeve të bëra nga etnomuzikologu Ramadan Sokoli është dëshmuar se muzika shqiptare i ka rrënjët që në Mesjetë ndërsa për Shqipërinë dhe shqiptarët kanë shkruar përgjatë shekujve edhe disa nga kompozitorët më të famshëm botërorë si: Antonio Vivaldi, Françoise Rebel, Edward Jones etj. Ky koncert instrumental u mbështet nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me tre teatrot “Migjeni” të Shkodrës, “A. Z. Çajupi” të Korçës dhe “Metropol” të Tiranës.
©️ Marjo Gjini