Dita e parë e festivalit të filmit “Idromeno Indipendent Film Festival” solli në Shkodër disa figura të spikatura në takimet e zhvilluara përgjatë kësaj dite.
Në workshopin e zhvilluar në mjediset e qendrës rinore “Atelie” ku merrnin pjesë kryesisht studentë të degës së gazetarisë, u diskutua për tema të lidhura me filmin e në mënyrë të veçantë për distopinë por edhe për filmin me metrazh të shkurtër. Në këtë takim i ftuar ishte lektori i fushës sociale Alment Muho.
Pas shfaqjes së filmave të parë në garën e festivalit në kinema “Millennium” u zhvillua edhe takimi më i rëndësishëm i ditës, ai me temë: “Ringjallja e qytetit të artit” që në fakt përbën edhe tematikën kryesore të këtij edicioni të parë të festivalit. Në panelin e të ftuarve, të mbajtur në një nga sallat e bibliotekës së qytetit “Marin Barleti” merrnin pjesë figura të njohura si: Zef Paci, Adi Krasta dhe Julian Bejko.
Agjenda e festivalit të filmit do të vijojë përsëri në ditët e tjera me shfaqjen e filmave garues dhe diskutimin me panele të ftuarish.
©️ Marjo Gjini