Për herë të parë në Shkodër do të ketë një festival dedikuar filmit i konceptuar në dy zhanre të tij: me metrazh të gjatë dhe atë me metrazh të shkurtër. Ky festival, i pagëzuar me emrin Idromeno Indipendent Film Festival hapi mbrëmë siparin e tij nën kujdesin dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Shkodrës. Ndërsa pjesë e fjalimit përshëndetës ishte edhe Ministrja e Sipërmarrjes dhe njëkohësisht deputetja e qarkut të Shkodrës Edona Bilali.
Drejtuesit e festivalit të filmit tregojnë disa nga detajet e organizimit të tij.
Në mbrëmjen hapëse të festivalit, ju prezantua publikut të pranishëm filmi dokumentar dedikuar Kolë Idromenos, figurës policentriste të artit në vendin tonë dhe arkitektit kryesor të zonës muzeale të Shkodrës, një dokumentar i rrallë në llojin e tij, i realizuar në vitin 1987 nga Arkivi Qëndror i Filmit.
Kjo natë e parë hapëse pati publik të shumtë në rrugën e Gjuhadolit pikërisht pranë shtëpisë së Idromenos.
Pas përfundimit të natës hapëse të festivalit, organizatorët kishin menduar dhe një after party për të pranishmit duke kërkuar ta shndërrojnë në festë këtë edicion të parë.
Koordinatori i festivalit, Renis Hyka tregon detajet e ditës së parë të festivalit.
Edicioni i parë i festivalit do të jetë i shtrirë në shtatë ditë ku përveç filmave të parashikuar në kalendar për t’u parë në kinema, pjesë e tij do të jenë dhe figura e personalitete të njohura të artit kinematografik shqiptar.
©️ Marjo Gjini
