Aktivitetet kulturore vijuan sërish edhe pasdite në Shkodër ku galeria e arteve të qytetit çeli ekspozitën e artististit Pashk Përvathi. Në fjalën e tij të hapjes drejtuesi i galerisë, Fatmir Juka preferoi të dilte nga protokolli i zakonshëm i ceremonive të tilla dhe ta niste me disa vargje të Ndre Mjedës si për t’i dhënë kuptimin e duhur edhe titullit të kësaj ekspozite “Rreze t’paqta shkon tuj shkri…”.
Ekspozita përmban një miks gjeografik nga thuajse çdo zonë e Shqipërisë ku një vend të veçantë zënë rrugët e Shkodrës ndërsa në këto punime dallohen qartë peizazhet, natyra e qetë apo edhe portretet. Shumica e tyre janë realizuar në tre vitet e fundit por nuk mungojnë as portrete si ai i At Zef Pllumit apo Nënë Terezës të punuara 10 vite më parë.
Piktori nga Lezha, Pashk Përvathi ka një CV të pasur artistike ku në vite ka sjellë ekspozita të shumta jo vetëm në vendlindje por edhe në kryeqytet. Ekspozita e tij në galerinë e arteve të Shkodrës do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit maj dhe stacioni i radhës do të jetë Durrësi.
©️ Marjo Gjini