Në Shkodër është kthyer në traditë tashmë që çdo fillim maji të festohet dita e luleve. Një festë tradicionale që prej vitesh bën bashkë të vegjël e të rritur që rrethuar nga lulet u këndojnë më të bukurave prej tyre.
Ky vit solli risi sa i përket organizimit duke qenë se termi “Dita e Luleve” është zëvëndësuar nga termi “Festa e Luleve” me një kohëzgjatje prej katër ditësh ku e para ju dedikua fëmijëve të kopshteve më së shumti dhe u mbyll me koncertin “N’gen” ndërsa dita e dytë e festës pati kalendarin e saj të dedikuar kryesisht të rinjve me performacat artistike por edhe me prezantimin e pikturave të ndryshme të punuara nga nxënës të shkollave 9-vjeçare duke mos harruar dhe panairin me punime artizanale. 
Përgjatë ditës së sotme, aktivitetet do të vijojnë me festën në rrugën muzeale të Gjuhadolit ndërsa përsa i përket mbrëmjes është rezervuar një tjetër koncert në sheshin para bashkisë dedikuar këngëve më të bukura shkodrane ku ato që u këndohen luleve janë më shumti. 
Festa do të vijojë me ditën e nesërme ku parashikohen të tjera aktivitete kreative dhe shumë risi.
©️ Marjo Gjini