Me entuziazëm dhe gjallëri nisi dita e sotme në Shkodër. Festa e Luleve çeli siparin e saj me aktivitetet e larmishme të ndara në katër ditë me radhë në sheshin përpara bashkisë.
Çdo gjë nisi me panairin e punimeve artizanale ku dallohej qartë kreativiteti por edhe ngjyrat, simboli i kësaj feste dhjetëra vjeçare në qytet.
Ndërsa stendat e panairit ishin të pozicionuara anash, në qendër të sheshit gjithë vëmendjen e morën fëmijët e kopshteve të qytetit me performancat e tyre skenike.
Më pas seria e aktiviteteve vazhdoi sërish me fëmijët por kësaj here me ata të ciklit 9-vjeçar dhe më konkretisht me këngët më të mira të festivalit “Bilbilat e vegjël këndojnë” ndërsa u vlerësuan me çertifikatën e Mirënjohjes të gjithë anëtarët e jurisë. Artistët e vegjël sollën gaz e hare në minutat e dedikuara atyre.
Dita e parë e festës do të vijojë në orët e pasdites me koncertin live të grupit të udhëhequr nga Markelian Kapidani “N’gen” dhe në orët e darkës me Street Party ku kodi i veshjes do të jetë lulja me dizenjot e saj.
©️ Marjo Gjini