Një atmosferë fantastike u krijua në koncertin përmbyllës të Javës Europiane të zhvilluar në shëtitoren përballë bashkisë në Shkodër.
Vërtetë u deshën disa minuta pritje për të nisur recitalin e tyre, kjo për shkaqe teknike por grupi “Shkodra Elektronike”, i përbërë nga dyshja Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca sollën gjallëri dhe entuziazëm tek publiku i pranishëm duke bërë që edhe reshjet e shiut të mos ndikonin në spektatorët në shesh.
Vokalistja e grupit shprehet e lumtur për prezencën e saj artistike para qytetit të vet ndonëse jeton në Itali dhe gjuhën shqipe e flet me pak vështirësi.
Më pas vendin e zunë disa nga këngët më të bukura shkodrane të sjellura në versionin elektronik sipas frymës moderne dhe profilit artistik të grupit “Shkodra Elektronike”.
Edhe Kolë Laca, instrumentisti i grupit, pak minuta pas përfundimit të koncertit, shprehet i emocionuar për pritjen që i bëri Shkodra këngëve të performuara nga ata.
Para interpretimit të grupit shkodran ishte edhe artisti i njohur Orges Toçe, i cili performoi për disa minuta këngët e tij në stilin bohem ndërsa koncerti i organizuar nga Bashkimi Europian në Shqipëri përmbylli agjendën e tij në Shkodër.
©️ Marjo Gjini
