Atmosfera e mrekullueshme me tingujt e muzikës jazz, veshje të stilit New Orleans të viteve ’20 – ’30 dhe shumë detaje të tjera u rikthyen sërish në Shkodër pas 3 viteve ndërprerje për shkakun e pandemisë. 
Treni jo i zakontë u nis nga Tirana dhe mbërriti në stacionin e Shkodrës me pak vonesë për shkak të një aksidenti pa pasoja të rënda por kjo nuk e zbehu atë çfarë do ta priste qytetin për shumë orë me radhë. 
Dita Botërore e muzikës jazz i bëri bashkë shkodranët, kryeqytetasit e deri tek vlonjatët, italianët apo anglezët në rrugët e qytetit që gjithmonë e ka dashur këtë lloj muzike. Kjo maratonë e quajtur Swing sepse e tillë ishte ajo që luhej dikur në Kafen e Madhe të Shkodrës festoi vitin e pestë në qytet.
Festa e nisur në stacionin e trenit u zhvendos në rrugën e Gjuhadolit ku bendi i muzikës jazz nga Milano elektrizoi gjithë të pranishmit.
Pas disa orësh do të ishte teatri “Migjeni”, stacioni i radhës i festës që zgjati deri në orët e para të ditës së re.
Për më shumë detaje të festës klikoni këtu.
©️ Marjo Gjini