Diell, det dhe shumë ngjyra… ishin disa nga detajet që sollën fëmijët e punëtorisë së Ulqinit në qytetin e Shkodrës në punimet e tyre shumëngjyrëshe të pikturës.
Atmosfera e ndezur në ambjentet e galerisë “ODA” dallohej jo vetëm tek fëmijët e pranishëm si protagonistët kryesorë të eventit por edhe tek prindërit e tyre që i bashkëshoqëronin ata.
Mikpritësja e kësaj ngjarje të bukur, Rozafa Shpuza shpreh kënaqësinë e saj për praninë e piktorëve të vegjël në galeri.
Mësuesja e pikturës, Vahida Nimanbegu dhe njëkohësisht fëmijët nuk e fshehin emocionin për organizimin e ekspozitës në Shkodër.
Ndërsa miqtë e vegjël nga Mali I Zi pasqyruan artin e tyre në Shkodër duhet thënë se vetë artistja Rozafa Shpuza pak ditë më parë solli artin e saj me fotografi të titulluar “Shpirti i një qyteti” në Rozhajë po në Malin e Zi.
Të tjera aktivitete kulturore dhe artistike janë menduar të zhvillohen në ditët e ardhshme në galeri.
©️ Marjo Gjini
